Fotografi të rralla të heroit kombëtar, Besim Ndreca, luanin suharekas që serbët kurrë s’mundën ta kapin të gjallë

0
42

Ai nuk vdes kurrë!

Besim Ndreca mbetet një nga figurat më të ndritura të popullit, i cili i tha stop torturimit që serbët ia bënin shqiptarëve, gjatë viteve të 90-ta.

Besim Ndreca u lind më 10 tetor 1956 në fshatin Maqitevë të komunës së Suharekës, teksa u vu në shërbim të Njësit Gueril më 30 dhjetor 1991 në Lëvizjen Guerile “Shqipet e Lirisë”.

 

Ai bie heroikisht në altarin e lirisë më 3 maj 1995 në Malsi të Re.

Komandanti i njësitit gueril “Zjarri 002” Besim Ndreca duke mos pranuar dorëzimin e armës, në vendin e tij të punës në Shirokë, komandantit të milicisë serbe, famëkeqit Dragan Shoshkiq, i bie plumb ballit duke i thënë se “vetëm kështu shqiptari e dorëzon armën o biri shkinës”.

Më pas, Ndreca vret edhe dy oficerë të tjerë të milicisë dhe plagos ushtarakët që ishin me ta.

Zanafilla e përndjekjes së tij, nisi më parë, kur në stacion të autobusave në Suharekë, kishin shkuar milicia serbe për ta arrestuar, por Besimi kishte arritur t’i çarmatosë dhe plani për ta dorëzuar Ndrecën në stacion të policisë, u kthye bumerang për serbët, pasi ishte pikërisht heroi i Malsisë së Re, ai i cili i kishte kapur ata dhe i dorëzoi te eprori i tyre.

Aty ia bëri me dije kryemilicit serb se herën tjetër, nuk do t’ia kthejë të gjallë.

“Lidhi klyshët”, ishte fjalia e gjigantit suharekas, pas të cilës serbët do të mobilizoheshin për ta arrestuar në ditët vijuese, për ta kapur të gjallë.

Kjo nuk ndodhi kurrë, pasi Besim Ndreca nuk u dorëzua asnjëherë, duke i lënë të vdekur me armën e tij milicët serbë.

Ai mundi të shkojë edhe në shtëpi, ku u përshëndet me familjen e tij, të cilëve u tregoi se obligimin e tij kombëtar, tashmë e kishte kryer, hakun atdheut ia pagoi.

Besim Ndreca u vra nga serbët, pa u dorëzuar kurrë. Ai luftoi me ta deri kur i pushoi zemra, nga plumbat që e kishin goditur.

Në nderim veprës së lavdishme të tij, njëri nga sheshet e qytetit të Suharekës është emëruar me emrin e Besim Ndrecës, ku edhe qëndron shtatorja e tij.

Vepra e dëshmorit suharekas, u shndërrua në motiv për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që pak vjet më vonë nisi luftën ndaj Serbisë pushtuese, duke shënuar triumfin plebishitar që ndryshoi rrjedhën historike të një populli të përvuajtur e përndjekur me shekuj, vetëm se nuk e pranuan kurrë asimilimin dhe sundimin e padrejtë.

Për veprën unike të Besim Ndrecës u shkrua e u këndua ndër vite e dekada.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu