Dështimet e vazhdueshme në parakualifikimet për kampionate botërore dhe evropiane, përkundër një Lige të fortë e të konkurueshme që e ka Kosova, lidhen drejtpërdrejt me strategjinë nacionale të basketbollit.
Koncentrimi i klubeve kosovare te lojtarët e huaj, puna shumë e vogël me gjeneratat e reja, e dëmtojnë direkt basketbollin vendor.
Skuadrat shtetërore që synojnë trofetë e çdo edicioni, përbëhen kryesisht tek prurjet nga jashtë, kurse lojtarët vendorë kanë pak hapësirë.
Deri tani, gjithçka ka rezultuar në dëm të basketbollit kosovar, pasi reprezentacioni i shtetit ka dështuar të tregojë edhe rezultate minimale.
Federata e Basketbollit të Kosovës, ende nuk ka hartuar strategji konkrete se si të ndihmohet në përmirësimin e kësaj gjendje, teksa gjeneratat që vijnë, nuk kanë në parket, minutat e duhura në ekipet e tyre, andaj s’mund të jenë konkurentë.
Sot gjenerata e “artë” që konsiderohet ta ketë Kosova, me Dardan Berishën, Drilon Hajrizin, Lis Shoshin, Gëzim Morinën etj, të gjithë janë mbi 30 vjeç, andaj ata që do ta pasojnë këtë cikël, janë me më pak kualitet.
E nëse me këta aktualët, as faza parakualifikuese nuk është arritur të kalohet, mund të paramendohet se çfarë do të jetë gjendja e së ardhmës.
Nëze nuk ndërhyhet në formë emergjente për ta ndryshuar strategjinë, Kosova rrezikon që të shndërrohet në përfaqësuesen më të dobët në rajon, apo edhe Evropë.