Ylli e demoloi Prizrenin në Suharekë

 

Basketbollistët e Golden Eagle Yllit, pa kapitenin e tyre Gëzim Morina të lënduar, shkëlqyen sonte në palestren “13 Qershori” në Suharekë, duke e mundur thellë Proton Cable Prizrenin, me rezultat 91-69.

Në asnjë çerek të vetëm, mysafirët nuk u treguan më të mirë në parket.

25-17 u mbyll fraksioni i parë, kurse edhe më të “frikshëm” suharekasit u shfaqën në të dytin, duke e dominuar plotësisht, për të shkuar në pushim me 18 pikë diferencë, 54-36.

“Xhebrailat” e përfunduan 10 minutëshin e tretë me rezultat 21-18, derisa të katërtin 18-17.

Jan Palokaj ishte më i miri në parket, duke arritur ‘double-double’ me 23 pikë, 10 kërcime e katër asistime.

23 pikë i realizoi edhe Jordan Johnson te mysafirët, duke shtuar edhe pesë asistime.

Pavarësisht këtij triumfi, Ylli mbetet në pozitën e gjashtë pas 21 xhirove, me 30 pikë të grumbulluara, nga 9 fitore e 12 humbje.

Në vikend, dy herë kampionët e Kosovës luajnë sërish para tifozëve të tyre, si nikoqirë të Borës, kurse Prizreni udhëton te Prishtina.