FC Suhareka në krizë të thellë, tani rrezikon mbetjen në Superligë

Me bujë të madhe u themelua si klub.

FC Suhareka qysh në edicionin fillestar, ku garoi në Ligën e Parë, krijoi përshtypjen se bëhet fjalë për një skuadër e cila ka ambicie të qarta, madje duke qëndruar financiarisht më mirë se edhe plot ekipe të Superligës.

Edhe inkuadrimi në elitën e futbollit kosovar dhe ndeshjet e para kampionale, shkuan mirë për suharekasit e “rinj”, shkruan Hisarionline.

Por kohët e fundit, duket që këtij klubi nuk po i shkon asgjë për shtati.

Dorëheqja e presidentit Rrustem Alija, shkarkimet e zyrtarëve të klubit, trajnerëve e deri te ndryshimet e futbollistëve, i dhanë orientim me kahje të papëlqyshme këtij klubi.

Fitorja e fundit e Suharekës është dhjetorin e kaluar ndaj Malishevës!

Që atëherë, veç një barazim e morën në Prishtinë, karshi plot 5 humbjeve.

Ndonëse synimet ky klub i kishte për ta kapur zonën evropiane, tani me vetëm 26 pikë në 23 xhiro, beteja e FC Suharekës është të jesh a të mos jesh në Superligë.

Nëse Dukagjini që ka 25 pikë dhe Llapi me 23 sosh, fitojnë ndeshjet e radhës, atëherë suharekasit e “verdhë” do të ngujoheshin në pozitën e parafundit.

Se çfarë do të ndodh me këtë klub, mbetet të shihet në vazhdim, por situata për ta është goxha e rëndë, mbase fyrmarrje mund t’u jap një fitore eventuale në xhiron e ardhshme, ndaj vendit të fundit në tabelë, Feronikelit’74, me të cilët do të luajnë në stadiumin e qytetit në Suharekë.