Me flakadanët e ndezur, mbyllet në Prekaz “Epopeja e UÇK-së” për këtë vit

Në mënyrën tradicionale dhe emocionuese, është mbyllur sot në Prekaz “Epopeja e UÇK-së” për këtë vit.

Si çdo 5, 6 e 7 Mars, mijëra njerëz edhe sivjet ia mësyen vendit, prej ku lindi historia e re e shqiptarëve të Kosovës, duke u çliruar fillimisht nga agresori serb, për të kulmuar vite më pas me shpalljen e Pavarësisë, shkruan Hisarionline.

Lufta e paimagjinueshme e familjes Jashari, kundrejt mijëra ushtarakëve, policëve e paramilitarëve serbë, bëri bujë në gjithë botën, duke u shndërruar në simbol rezistence të rrallë parë e dëgjuar, e duke shtruar themelet e një realiteti të ri, ku shqiptarët nuk pranojnë nënshtrimin e robërinë.

Kryengritja gjithëpopullore u nis nga Drenica, për të vazhduar në të gjitha zonat e Kosovës, ku të unifikuar nën betimin për çlirim, shqiptarët vazhduan amanetin e Jasharëve dhe komandantit legjendar, Adem Jashari.

27 vjet pas luftës së lavdishme që u bë nga Kulla e bacës Shaban në Prekaz, kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdon të jetoj në secilën zemër shqiptare.

“AI ËSHTË I GJALLË”!